Zelensky paralajmëron Evropën – Rusia mund të shkelë hapësirën ajrore në kontinent, nevojitet mbrojtje moderne

Zelensky paralajmëron Evropën – Rusia mund të shkelë hapësirën ajrore në kontinent, nevojitet mbrojtje moderne

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi se Rusia ka kapacitete për të shkelur hapësirën ajrore në çdo cep të Europës dhe u kërkoi liderëve të Bashkimit Europian të ndërtojnë forca mbrojtëse kundër dronëve. Gjatë një samiti në Kopenhagë, Zelensky tha se “nëse rusët guxojnë të lëshojnë dronë në Poloni apo në Evropën Veriore, kjo do të thotë se mund të ndodhë kudo”.

Ai kërkoi reagim të shpejtë dhe sisteme efikase për mbrojtje ajrore. Takimi në Danimarkë u mbajt pas disa shkeljeve të hapësirës ajrore dhe pas një rasti kur u mbyll përkohësisht aeroporti i Kopenhagës për shkak të dronëve. Kryeministrja daneze Mette Frederiksen theksoi se Ukraina është eksperti më i madh në botë për t’u mbrojtur nga dronët dhe tha se vendet evropiane duhet të mësojnë nga përvoja e saj.

Edhe kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, pranoi se rajoni po përballet me “mësime të vështira” nga kërcënimi ajror dhe kërkoi më shumë bashkëpunim mes policisë dhe ushtrisë. Shefi i NATO-s, Mark Rutte, u shpreh se Ukraina po ndan me aleatët teknologjinë që ka zhvilluar gjatë luftës. Ndërkohë, Rusia vazhdoi sulmet me raketa dhe dronë në Odesa dhe rajonet e tjera të Ukrainës, duke goditur objekte strategjike.

Ministri ukrainas i Zhvillimit Territorial tha se qëllimi është të shkatërrohet qëndrueshmëria e vendit. Frederiksen e quajti këtë një “luftë hibride” dhe e cilësoi Ukrainën si vijën e parë të mbrojtjes për të gjithë Evropën. Ajo theksoi se kërcënimi vjen vetëm nga një shtet: Rusia. Samiti u zhvillua në një moment të vështirë për paqen, ndërsa lufta në Ukrainë po hyn në vitin e saj të katërt. /rtsh/

Share This