
U mbajtën peshimet zyrtare, gjithçka gati për spektaklin e së shtunës në RTK
Sonte u mbajtën peshimet zyrtare për protagonistët e 9 dueleve që do të jenë në program në mbrëmjen e madhe të boksit, e cila këtë të shtunë vjen ekskluzivisht në RTK.
Të gjithë boksierët kaluan me sukses procedurat zyrtare, duke konfirmuar gatishmërinë për një natë spektakolare në ring.
Vëmendja kryesore ishte, natyrisht, te dueli kryesor i mbrëmjes, ku kampioni evropian Labinot Xhoxhaj do të përballet me suedezin Pezhman Seifkhani, në sfidën për mbrojtjen e titullit evropian EBU në kategorinë e rëndë.
Kjo është hera e dytë që Xhoxhaj e mbron titullin e Kampionit të Evropës, duke synuar ta konfirmojë edhe një herë dominimin e tij në skenën evropiane.
Në peshimet zyrtare, kampioni kosovar rezultoi me 115.4 kilogramë, duke reflektuar përgatitje maksimale fizike dhe siguri para duelit. Nga ana tjetër, sfiduesi Seifkhani peshonte 113 kilogramë, duke treguar gjithashtu formë të mirë dhe gatishmëri për 12 raunde të forta në ring.
Atmosfera në peshime ishte e tensionuar, me dy protagonistët që shkëmbyen shikime sfiduese, duke paralajmëruar një përballje të ashpër dhe taktike.
Nesër, (e shtunë), gjithçka transmetohet drejtpërdrejt në RTK, në një mbrëmje që pritet të jetë një tjetër kapitull i madh për boksin kosovar dhe për kampionin tonë evropian.


