Trump: Jemi afër një marrëveshjeje me Iranin, anuluam sulmet ajrore

Trump: Jemi afër një marrëveshjeje me Iranin, anuluam sulmet ajrore

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se një marrëveshje paraprake me Iranin për t’i dhënë fund konfliktit është shumë pranë finalizimit, duke njoftuar njëkohësisht se ka anuluar planet për sulme ajrore ndaj vendit.

Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se palët kanë arritur një “zgjidhje të shkëlqyer” për luftën me Iranin dhe se objektivi kryesor i negociatave ka qenë garantimi që Teherani të mos zotërojë armë bërthamore.

“Ne kemi një marrëveshje që Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore, që ishte edhe qëllimi kryesor i gjithë procesit. Është një arritje shumë e rëndësishme”, deklaroi ai.

Megjithatë, autoritetet iraniane kanë treguar kujdes ndaj këtyre pretendimeve. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, i cilësoi raportimet për një marrëveshje si “spekulative”, duke theksuar se ende nuk është finalizuar asnjë dakordësi.

Deklaratat e Trump vijnë vetëm disa orë pasi ai kishte paralajmëruar se SHBA-ja ishte e gatshme ta godiste Iranin “shumë fort”, duke shtuar pasigurinë rreth zhvillimeve diplomatike dhe ushtarake mes dy vendeve.

Konflikti u përshkallëzua më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën një seri sulmesh të gjera ndaj Iranit. Në përgjigje, Teherani ndërmori sulme kundër Izraelit dhe aleatëve amerikanë në rajonin e Gjirit Persik, ndërsa kufizoi ndjeshëm lundrimin në Strait of Hormuz, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.

Edhe pse në prill u arrit një armëpushim, përplasjet mes palëve kanë vazhduar me ndërprerje. Vetëm këtë javë janë regjistruar dy raunde të reja sulmesh direkte, duke mbajtur të larta tensionet në rajon. /rtsh/

Share This