
Tornado e fuqishme godet Oklahomën, shkatërrohen shtëpi e biznese, mbyllet baza ajrore
Një tornado e fuqishme ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në shtetin e Oklahomës, duke goditur veçanërisht qytetin Enid dhe zonat përreth Bazës Ajrore Vance, sipas autoriteteve lokale.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, tornadoja e konfirmuar të enjten kaloi nëpër pjesë të Enid, një qytet me rreth 50 mijë banorë në veri të shtetit. Pamjet nga vendngjarja treguan një kolonë ajri që rrotullohej me shpejtësi dhe prekte tokën, duke lënë pas shtëpi të shkatërruara dhe struktura të rrafshuara.
Autoritetet bënë të ditur se nuk ka raportime të menjëhershme për viktima, ndërsa janë shënuar vetëm disa lëndime të lehta. Policia dhe ekipet e emergjencës mbërritën brenda pak minutash në zonat e prekura dhe nisën kërkimet në banesa, të ndihmuara nga zjarrfikësit dhe patrullat e autostradave.
Kryetari i bashkisë së Enid, David Mason, deklaroi se disa banorë mbetën të bllokuar në shtëpitë e tyre për shkak të mbeturinave dhe u desh ndërhyrja e ekipeve për t’i shpëtuar. Ai theksoi se dëmet më të rënda u regjistruan në lagjen Gray Ridge, ku disa shtëpi u shembën plotësisht.
“Mbështetja nga komuniteti ynë ka qenë e jashtëzakonshme. Bizneset lokale kanë ofruar ndihmë dhe banorët kanë hapur dyert e tyre për të prekurit”, u shpreh Mason.

Edhe në Bazën Ajrore Vance janë raportuar dëme, përfshirë rrëzimin e gardheve dhe pajisjeve. Baza është mbyllur përkohësisht për shkak të ndërprerjeve në furnizimin me energji dhe ujë.
Guvernatori i Oklahomës, Kevin Stitt, u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin komunitetin e prekur, duke shprehur solidaritet me banorët e Enid.
Ndërkohë, Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi për mundësi stuhish të tjera në zonë gjatë ditëve në vijim, duke përfshirë edhe fundjavën.
Stuhi të forta u raportuan edhe në shtete të tjera. Në Missouri, në zonën e Kearney në veri të Kansas City, autoritetet raportuan pemë të rrëzuara, rrugë të bllokuara dhe dëmtime të banesave, por pa të lënduar. Ekipet vijojnë punën për pastrimin e zonave të prekura. /rtsh/


