Haxhiu për vendimin në rastin e Banjskës: Flet rendi kushtetues, drejtësia nuk përfundon këtu

Haxhiu për vendimin në rastin e Banjskës: Flet rendi kushtetues, drejtësia nuk përfundon këtu

Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe njëherësh kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me rastin e sulmit në Banjskë.

Ajo e cilësoi vendimin si një dëshmi të funksionimit të rendit kushtetues të vendit, duke theksuar se ai përfaqëson përgjigjen institucionale ndaj një sulmi të rëndë ndaj sigurisë dhe shtetit.

“Me këtë vendim flet rendi kushtetues i Kosovës, të cilin rreshteri Afrim Bunjaku e mbrojti deri në fund,” deklaroi Haxhiu.

Sipas aktgjykimit, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq me 30 vjet burgim.

Haxhiu theksoi se ky vendim konfirmon se sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe rendit kushtetues nuk do të mbeten pa ndëshkim, duke e konsideruar atë një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë.

Megjithatë, ajo nënvizoi se procesi nuk përfundon me këtë aktgjykim dhe kërkoi që të gjithë përgjegjësit të përballen me drejtësinë, përfshirë edhe Milan Radoiçiq.

Në fund të reagimit të saj, Haxhiu përkujtoi rreshterin e rënë në detyrë, duke theksuar: “Lavdi Afrim Bunjaku, heroit tonë.”

Share This