Tirana bëhet zë i UÇK-së, thirrje për mobilizim para protestës së 17 tetorit

Tirana bëhet zë i UÇK-së, thirrje për mobilizim para protestës së 17 tetorit

Në prag të protestës gjithëkombëtare për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që do të mbahet më 17 tetor në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, u zhvillua një konferencë e organizuar nga “Shoqata Tirana”, ku morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, organizatave të veteranëve dhe personalitete nga Kosova e Shqipëria.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, në fjalën e tij akuzoi Gjykatën Speciale në Hagë se po vepron me motive politike dhe se është e njëanshme e selektive në trajtimin e rasteve. Ai tha se kjo gjykatë mbështetet në “trillime të raportit të Dick Martit”, të cilat – sipas tij – janë “të financuara nga Serbia dhe Rusia”.

“Ne e kemi zgjedhur Tiranën për protestën sepse jemi një komb, një gjak dhe një flamur. Adem Jashari dhe celulat e para të UÇK-së gjetën strehë në Shqipëri. Protesta jonë ka karakter gjithëkombëtar. Ne kërkojmë drejtësi, jo politikë. Ajo gjykatë është politike, selektive dhe përndjek vetëm anëtarët e UÇK-së”, tha Gucati.

Edhe kryetari i Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Fadil Shurdha, i bëri thirrje shqiptarëve kudo që ndodhen – në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe diasporë – të bashkohen në protestë më 17 tetor.

“Në orën 17:00, në sheshin ‘Skënderbej’, të gjithë së bashku do të shprehim pakënaqësinë tonë kundër një gjykate që e ka rënduar Kosovën politikisht, moralisht dhe mbi të gjitha ish-luftëtarët e saj,” u shpreh Shurdha.

Nga Shqipëria, kreu i “Shoqatës Tirana”, Ruzhdi Keci, ftoi të gjitha shoqatat shqiptare të mobilizohen për një protestë masive dhe të organizuar.

“Si vend pritës, kemi përgjegjësinë të bëjmë punën tonë. Shoqatat duhet të njoftojnë komitetet përkatëse që kontributi i shqiptarëve në këtë miting madhështor të jetë i plotë dhe efektiv,” tha Keci.

Në protestën e 17 tetorit pritet të marrin pjesë figura të larta shtetërore nga Shqipëria, përfshirë kryeministrin Edi Rama, kreun e grupit parlamentar socialist Taulant Balla, si dhe ministra e deputetë të mazhorancës.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Shqipërisë ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë protestë.

Share This