
Memli Krasniqi: Nuk ka komunikim me Kurtin, s’ka interesim për bashkëpunim politik
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka komentuar sot rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe është pyetur për mundësinë e një koalicioni të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për formimin e qeverisë së re.
Në një konferencë për media, Krasniqi e ka bërë të qartë se nuk ekziston asnjë lloj komunikimi mes tij dhe kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se nuk ka pasur interesim nga ana e Kurtit për ndonjë formë bashkëpunimi politik, as në të kaluarën e as tani.
“Me Lëvizjen Vetëvendosje unë nuk kam kurrfarë komunikimi. Ne kemi pasur kontakt politik vetëm në raste të caktuara, si kur ka qenë nevoja për të zhbllokuar Kuvendin. I kam takuar të gjithë, përfshirë edhe z. Kurti, por siç duket ai nuk ka qenë i interesuar për bashkëpunim,” tha Krasniqi para gazetarëve.
Deklarata e liderit të PDK-së vjen në një moment kur paszgjedhorja politike në vend po shoqërohet me spekulime për mundësi të ndryshme të formimit të qeverisë, ndërsa partitë kryesore ende nuk kanë nisur negociata zyrtare për koalicione.


