Super Barcelona kampione e Spanjës, mposht Realin në ‘El Clasico’

Super Barcelona kampione e Spanjës, mposht Realin në ‘El Clasico’

Barcelona ka siguruar titullin e 29-të në LaLiga pas fitores 2-0 ndaj rivalëve të përjetshëm Real Madrid, në një “El Clasico” që vulosi matematikisht kampionatin dhe solli festë të madhe në “Camp Nou”.

Ndeshja u zhvillua në një atmosferë të veçantë dhe emocionale për trajnerin Hansi Flick, i cili përjetoi një ditë të vështirë pas ndarjes nga jeta të babait të tij vetëm disa orë para sfidës vendimtare.

Barcelona e nisi fuqishëm takimin dhe kaloi në epërsi që në minutën e 9-të, kur Marcus Rashford realizoi një goditje të bukur nga gjuajtja e lirë. Vetëm në minutën e 18-të, Ferran Torres dyfishoi avantazhin pas një asistimi të Dani Olmos, duke vendosur bazat e fitores.

Real Madrid tentoi të reagojë, por rastet e Gonzalo Garcia dhe Jude Bellingham nuk u konkretizuan, ndërsa portieri Thibaut Courtois mbajti gjallë shpresat me disa pritje vendimtare. Megjithatë, katalanasit kontrolluan lojën deri në fund dhe e mbyllën ndeshjen me siguri.

Skuadra e Flick tashmë ka krijuar një epërsi të thellë në krye të tabelës dhe ka mundësi të thyejë edhe rekordin historik të diferencës më të madhe të pikëve në LaLiga.

Në anën tjetër, kjo humbje e lë Real Madridin pa trofe në këtë sezon, një situatë e rrallë për klubin madrilen në dekadën e fundit.

Share This