Mourinho mes Benficës dhe Real Madridit

Mourinho mes Benficës dhe Real Madridit

Trajneri portugez Jose Mourinho ka shtuar dyshimet për të ardhmen e tij te Benfica, duke refuzuar të japë garanci për qëndrimin në klub edhe pse ka kontratë deri në verën e vitit 2027.

“A mund të garantoj nëse do të jem te Benfica sezonin e ardhshëm? Është diçka për të cilën kam folur edhe më parë. Nuk mund të garantoj se çfarë do të ndodhë,” është shprehur ai, duke lënë gjithçka të hapur.

Sipas medieve të huaja, pas kësaj situate qëndron interesimi i mundshëm nga Real Madrid. “Los Blancos”, që po rrezikojnë të mbeten pa trofe këtë sezon në La Liga, po mendojnë ndryshime në stol, me largimin e mundshëm të Alvaro Arbeloa dhe afrimin e një trajneri të ri për të rikthyer konkurrueshmërinë.

Sipas “Marca”, deri tani nuk ka pasur kontakte konkrete mes palëve, por nëse një mundësi e tillë do të shfaqej, Mourinho do të ishte i hapur ta konsideronte rikthimin në “Santiago Bernabeu”.

Siç raportohet portugezi ka kujtime pozitive nga periudha e tij në Madrid, pavarësisht se nuk arriti të fitojë “Decima”-n, ndërsa aktualisht mbetet i fokusuar te Benfica dhe i vendosur të respektojë kontratën, përveç nëse ndodh ndonjë zhvillim i papritur.

Që nga largimi nga Real Madridi në vitin 2013, Mourinho ka drejtuar disa klube të mëdha si Chelsea, Manchester United, Tottenham Hotspur, AS Roma dhe Fenerbahçe.

Aktualisht, Benfica renditet e dyta në Primeira Liga, shtatë pikë pas liderit FC Porto, me vetëm pak ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.

Share This