
Zjarr në “Kosova B”, furnizimi me rrymë vazhdon pa ndërprerje
Një zjarr ka përfshirë autotransformatorin AT2 (400/220 kV) në nënstacionin “Kosova B”, në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Lajmi është bërë i ditur nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT), i cili ka konfirmuar se incidenti nuk ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në vend.
Sipas KOSTT-it, pavarësisht avarisë në autotransformator, sistemi elektroenergjetik i Kosovës ka vazhduar të funksionojë normalisht.
Pas raportimit të rastit, ekipet e KOSTT-it kanë njoftuar shërbimet emergjente, të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes për intervenim.
Ndërkohë, ekipet teknike janë duke vlerësuar dëmet e shkaktuara dhe duke shqyrtuar rrethanat që çuan deri te shpërthimi i zjarrit, raporton rtk.
Deri më tani, KOSTT nuk ka dhënë detaje shtesë lidhur me shkakun e incidentit apo vlerën e dëmeve të shkaktuara.

