
BE-ja synon të bëhet fuqi globale në teknologjinë kuantike
Duke synuar të mos mbetet prapa në një tjetër garë teknologjike, Bashkimi Evropian do të prezantojë planet për ta shndërruar kontinentin në një fuqi globale në fushën e informatikës kuantike deri në vitin 2030.
BE-ja, e cila tashmë mbetet prapa Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në zhvillimin e inteligjencës artificiale, synon të nxjerrë mësime nga kjo përvojë dhe të investojë më herët në teknologjinë kuantike, raporton AFP.
Kjo teknologji shfrytëzon ligjet e mekanikës kuantike, të cilat përcaktojnë mënyrën se si funksionon fizika në shkallën atomike dhe nënatomike, për të zgjidhur probleme të caktuara shumë më shpejt sesa kompjuterët tradicionalë.
Sipas BE-së, ndikimi i kësaj teknologjie mund të jetë vendimtar në disa fusha, duke mundësuar përparime në zhvillimin e barnave, diagnostikimin më të hershëm të sëmundjeve dhe krijimin e baterive shumë më efikase. Ajo mund të përshpejtojë edhe zhvillimin e inteligjencës artificiale.
“Teknologjia kuantike është gjithashtu një teknologji e madhe. Ajo mund të jetë inteligjenca artificiale e radhës, mund të zhvillohet paralelisht me të, ose ndoshta të mos arrijë përhapjen e nevojshme”, ka thënë Hadrien Valembois nga organizata e industrisë Business Software Alliance.
Ai ka theksuar se zhvillimi i saj do të varet nga rregullat që do të vendosen, financimi dhe mënyra se si qeveritë do ta mbështesin ose rregullojnë këtë teknologji.
Sipas një projekt-dokumenti të parë nga AFP-ja, ligji i ri i BE-së, i njohur si “Quantum Act”, do t’u japë përparësi kompanive evropiane në ndarjen e fondeve publike, krahasuar me kompanitë nga vendet jashtë Bashkimit Evropian. Megjithatë, autoritetet publike do të mund të blejnë edhe nga vendet me të cilat BE-ja ka partneritete.
Kjo nismë është pjesë e përpjekjeve më të gjera të bllokut për të zvogëluar varësinë nga teknologjia amerikane dhe ajo e vendeve të tjera jashtë Evropës, si dhe për të krijuar kompani të fuqishme evropiane në këtë sektor.
Komisionerja e BE-së për teknologjinë, Henna Virkkunen, pritet ta prezantojë ligjin në Parlamentin Evropian. Miratimi i tij do të bëhet pas negociatave ndërmjet shteteve anëtare dhe Parlamentit Evropian.
Edhe industria globale e teknologjisë i ka mirëpritur përpjekjet e BE-së. Jean-Marc Leclerc nga gjiganti amerikan i teknologjisë IBM ka thënë se “Quantum Act” është një sinjal se Evropa e sheh teknologjinë kuantike si një mundësi të së tashmes dhe jo si diçka të largët.
Përveç përfitimeve ekonomike dhe shkencore, BE-ja vlerëson se teknologjia kuantike mund të ketë rëndësi të madhe edhe për sigurinë, përfshirë komunikimet e sigurta për operacionet ushtarake dhe të sigurisë kombëtare, si dhe zhvillimin e pajisjeve më të avancuara të mbrojtjes.
Megjithatë, kjo teknologji paraqet edhe rreziqe për sigurinë kibernetike, pasi në të ardhmen mund të mundësojë thyerjen e sistemeve të enkriptimit dhe mekanizmave të tjerë që mbrojnë të dhënat digjitale, transmeton rtk.
Këto shqetësime vijnë në një kohë kur inteligjenca artificiale dhe sulmet kibernetike po shtojnë presionin ndaj qeverive dhe kompanive. Javën e kaluar, Komisioni Evropian bëri të ditur se sistemet e tij ishin goditur nga një sulm kibernetik i asistuar nga inteligjenca artificiale, i ndodhur në tetor.

