Sorensen: Kosova nis zbatimin e Ligjit për të Huajt, me masa shtesë

Sorensen: Kosova nis zbatimin e Ligjit për të Huajt, me masa shtesë

Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka mirëpritur angazhimin e Kosovës për zbatimin gradual të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet në përputhje me marrëveshjet e dialogut. Po ashtu pas takimit u tha se ky ligj do të implementohet me disa masa shtesë.

Sorensen ka vlerësuar vendimin e dhjetorit për zbatimin gradual të ligjeve, si dhe fushatën informuese që është shtrirë në të gjithë territorin.

“Patëm një takim të mirë këtë mëngjes, ku mirëpritëm angazhimin e Kosovës për zbatimin e ligjit dhe vendimin e dhjetorit për të zbatuar gradualisht Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjetet, gjë që mundëson një fushatë gjithëpërfshirëse dhe të qasshme për të gjithë ata që preken…” tha ai.

Sipas tij, janë marrë parasysh planet e Qeverisë së Kosovës për integrimin e shërbimeve dhe institucioneve brenda kornizës ligjore të Kosovës, në harmoni me marrëveshjet e arritura në dialog dhe angazhimet ndaj BE-së.

“Ne marrim parasysh planet e Qeverisë për të integruar shërbimet, institucionet shëndetësore dhe arsimore brenda kornizës së Kosovës, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme të dialogut dhe angazhimet e BE-së. Angazhimi ynë përfundimtar është që zbatimi i ligjeve të lartpërmendura të lejojë një shërbim publik pa ndërprerje”, theksoi Sorensen.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e konsultimeve të strukturuara me përfaqësuesit e komunitetit gjatë gjithë procesit dhe bashkëpunimin e ngushtë me përfaqësuesin e BE-së për dialogun.

“Kemi këmbëngulur në konsultime të strukturuara me përfaqësuesit e komuniteteve të Kosovës për të siguruar mbështetjen e tyre. Një prioritet kyç është që Qeveria e Kosovës të sigurojë leje qëndrimi për punëtorët dhe studentët për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, me qëllim parandalimin e ndërprerjes së shërbimeve shëndetësore dhe arsimore. Po ashtu, u kërkua që të lejohet përdorimi i letërnjoftimeve të lëshuara deri më 15 mars 2026 nga Serbia si mjet identifikimi për proceset administrative”, tha Sorensen.

Paralelisht, ai theksoi se Qeveria e Kosovës duhet të regjistrojë individët që plotësojnë kushtet në sistemin qendror të regjistrit civil, në përputhje me të drejtat e tyre të gjendjes civile.

Edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka konfirmuar se është arritur pajtim për nisjen e zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, duke përfshirë masa shtesë përmbajtësore.

“Zbatimi i Ligjit për të Huajt do të fillojë nga nesër. Pas bisedimeve intensive me Qeverinë e Kosovës gjatë javëve të fundit, është arritur pajtimi për zbatimin e ligjit me disa masa shtesë përmbajtjesore, veçanërisht për regjistrimin e banorëve serbë të Kosovës dhe personave me leje qëndrimi të përkohshme”, tha Orav. /rtk/

Share This