
Sonte spektakli Kosovë – Zvicër: Njoftim me rëndësi për Dardanët
Sonte duke filluar nga ora 20:45, do të zhvillohet ndeshja Kosovë – Zvicër.
Federata e Futbollit të Kosovës, ka lëshuar një njoftim për Dardanët që ndodhen në Bazel, ku thonë:
“ZVICRA FLET SHQIP SOT, STUHI DARDANE GJITHANDEJ
NJOFTIM ME RËNDËSI
Ndeshja e shumëpritur kundër Zvicrës erdhi. Uragani i tifozëve nga Kosova që do ta përkrahë ekipin kombëtar po ndihet në çdo rrugë të Bazelit.
Ju njoftojmë që me rekomandim të forcave të rendit zvicerane, do të mblidhemi në “Christoph Merian Park” prej orës 14:00. Ky është lokacioni i ndarë për të qenë pikëtakim për tifozët tanë.
Le të jehojnë këngët dhe atmosfera drithërruese për kombëtaren e atdheut të shënjtë që kemi, për të marshuar të gjithë së bashku më vonë në stadium dhe për të sunduar në tribuna Dardanët me përkrahje, kurse futbollistët në fushë me rezultat pozitiv.
Për Kosovën. Për ndjenjën më të bukur në botë!”.
Kujtojmë se për këtë përballje të gjitha biletat janë shitur, ndërsa pritet një mbështetje e madhe nga tifozët shqiptarë.
Ndërsa dje trajneri i kombëtares së Kosovës, Franco Foda, tha se “Dardanët” nuk do të kenë frikë ndaj lojtarëve zviceranë.
Foda tha se as lojtarët e Zvicrës nuk do të kenë frikë nga ata të Kosovës, por tha se do të kenë respekt, ashtu siç do të kenë edhe kundërshtarët e tjerë të Kosovës.
Nga ana tjetër, Sulmuesi i Zvicrës, Dan Ndoye, në një intervistë ekskluzive për Klan Kosovën ka folur përpara takimit hapës të fazës së grupeve të Kampionatit Botëror që Zvicra do ta luajë kundër Kosovës.
Ndoye tha se janë gati dhe se e dinë që nesër do të jetë një ndeshje e rëndësishme “kundër një ekipi të madh si Kosova”.


