
Abdixhiku: Rruga përpara e LDK-së është rimëkëmbja dhe bashkimi i anëtarëve
Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas rizgjedhjes së tij në krye të partisë përmes votëbesimit, ka bërë thirrje për unitet dhe bashkim të gjithë anëtarëve.
Ai tha se rruga përpara e LDK-së është rimëkëmbja dhe se kjo duhet të bëhet duke bashkuar të gjithë anëtarët, pa dallim nëse janë të kënaqur apo jo me të.
“Kjo s’bëhet me natyrën e fituesit apo humbësit, por me përafrimin e të gjithë anëtarësisë.
U bëj thirrje të gjithëve pa dallim, edhe ata që kanë qenë të kënaqur me mua, por në veçanti ata që s’kanë qenë, edhe ata që kanë mbajtur funksione të larta, të vijnë të rreshtohen prapa qëllimit të përbashkët të anëtarësisë së LDK-së. Jemi pak, prandaj kemi nevojë për të gjithë, do të punojmë ta kemi secilin. U bëj thirrje të gjithëve edhe një herë, edhe të dëshpëruarit, të larguarit, të dorëhequrit ose jo, të kthehen në shtëpinë e tyre politike në funksion të plotë politik, dhe besoj se do të gjejnë hapësirën e vet”, deklaroi Abdixhiku, raporton rtk.
Kreu i LDK-së theksoi rëndësinë e unitetit dhe vlerësoi procesin demokratik të zhvilluar gjatë Kuvendit, i cili zgjati mbi shtatë orë,
“Për mbi 7 orë diskutime, prodhuan demokracinë maksimale që një parti politike mund ta ketë. Dhe këtë demokraci na vjen në formë të debatit të hapur, konstruktiv dhe në fund, një proces i paraqitjes së dorëheqjes dhe nisjes së votëbesimit për kryetarin e një partie mbi votimin e fshehtë. Më shumë se kaq s’mund të shkojë një parti politike, jo në Kosovë, jo se jo në rajon, por në pak vende të tjera të botës”, tha ai.
Abdixhiku gjithashtu vlerësoi mbështetjen dhe kritikat gjatë këtij procesi. “Me votim të mbyllur u dha verdikti i anëtarësisë së LDK, për të cilin jam falënderues. Por po ashtu jam mirënjohës edhe i mbështetjes dhe kundërshtimeve në këtë proces përpara, zotohem se do t’i afroj të gjithë. Me këtë afrim nënkuptoj që të gjejë më të mirën brenda vetes, të ruajmë unitetin, por të jemi të sinqert me popullin e Kosovës dhe vlerat që i kemi si LDK”, deklaroi i pari i partisë.
Ai njoftoi se Kuvendi miratoi dy deklarata, një për gjendjen politike në Kosovë dhe një për riorganizimin e partisë, duke theksuar se nuk u diskutuan koalicione apo pozicione të veçanta, por vlera orientuese për stabilitetin e LDK-së. Për më tej, Abdixhiku tha se “asnjë anëtar i LDK-së nuk do të ketë më shumë se një detyrë” dhe se Kuvendi i dha 100 ditë kohë për të kryer ristrukturimin e partisë.


