Ambasadorët takojnë Dimal Bashën, diskutohet konstituimi i plotë i Kuvendit të Kosovës

Ambasadorët takojnë Dimal Bashën, diskutohet konstituimi i plotë i Kuvendit të Kosovës

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav dhe ambasadori britanik gjatë takimit me kryetarin e ri të Kuvendit, Dimal Basha, mes tjerash biseduan lidhur me çështjen e konstituimit të organit ligjvënës të vendit, i cili ka nxitur polemika, pasi Basha e shpalli të konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit serb, ndërsa partitë e tjera e quajnë shkelje të Kushtetutës vendimin e tij.

Shefi i Zyrës së BE-së bëri me dije se me Bashën diskutuan nevojën për respektimin e proceseve kushtetuese, duke siguruar institucione gjithëpërfshirëse dhe multietnike. Orav siguroi se BE do ta ndihmojë Kosovës, ndërsa theksoi se formimi i Qeverisë dhe krijimi i komisioneve parlamentare është kyç për përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes, të cilat kanë mbetur peng për shkak të zvarritjes së formimit të Kuvendit e Qeverisë.

Diplomati evropian shtoi se presin me padurim që këto zhvillime dhe Plani i Rritjes të sjellin përfitime konkrete socio-ekonomike për popullin e Kosovës përmes ndihmës shtesë financiare, integrimit ekonomik dhe reformave të përshpejtuara”.

Ndërsa ambasadori britanik në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, tha se me Bashën u pajtuan që Kuvendi duhet të konstituohet plotësisht sa më parë. “U pajtuam mbi rëndësinë e konstituimit të plotë të Kuvendit sa më shpejt që të jetë e mundur, duke respektuar çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese,” bëri me dije ai.

Vetë kryeparlamentari i Kosovës informoi se me ambasadorët diskutoi mbi zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë për procesin e seancës konstituive të Kuvendit. /rtsh/

Share This