
Sonte Differdange-Drita, gjilanasit synojnë kualifikimin
Sonte zhvillohet ndeshja kthyese mes FC Differdange dhe Dritës, në kuadër të turit të parë kualifikues për Ligën e Kampionëve.
Drita ka fituar duelin e parë të luajtur në ‘Fadil Vokrri’, një javë më parë, me rezultat 1-0, megjithatë, gjithçka mbetet e hapur për sfidën që do të zhvillohet sonte në Luksemburg.
Skuadra nga Kosova, e udhëhequr nga trajneri Zekirija Ramadani, do të kërkojë rezultat pozitiv për të kaluar më tej në raundin e dytë dhe për të vazhduar ëndrrën evropiane.
Drita ka udhëtuar me optimizëm, duke besuar në një rezultat pozitiv, ndërsa lojtarët janë të motivuar maksimalisht për të dhënë më të mirën në një përballje që mund të shkruajë historinë për klubin e tyre dhe futbollin kosovar.
Sipas faqes zyrtare të klubit gjilanas, Drita mbrëmë ka zhvilluar stërvitjen e fundit dhe është e gatshme për duelin kthyese me Differdange.
“Energjia dhe entuziazmi i ekipit ishte në nivele të larta”, thuhet në njoftimin e kampionëve në fuqi të Kosovës.
Nga ana tjetër, Differdange, kampionët e Luksemburgut, do të kenë përparësinë e fushës dhe do të tentojnë të përfitojnë nga mbështetja e tifozëve për të siguruar kalimin tutje.
Ndeshja mes Differdange dhe Dritës fillon në orën 20:00.


