Sociedad trondit Barcelonën, e zjarrtë gara për kreun e La Ligës

Sociedad trondit Barcelonën, e zjarrtë gara për kreun e La Ligës

Real Sociedad ka shënuar një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Barcelonës në “Reale Arena”, duke u ngjitur në vendin e tetë në tabelën e LaLigës dhe duke i dhënë një goditje ambicieve të katalanasve për titull, shkruan Rekordi.net.

Kampionët në fuqi mbeten vetëm një pikë përpara Real Madridit në krye.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë, teksa vendasit gjetën rrjetën që në sekondat e para, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Edhe Barcelona pati disa raste të hershme, me Pedrin dhe Fermín Lópezin, por ndërhyrjet e VAR-it anuluan disa gola të katalanasve, ndërsa Dani Olmo humbi një rast të artë.

Sociedad përfitoi nga momenti i saj dhe kaloi në epërsi pas gjysmë ore lojë, kur Mikel Oyarzabal realizoi me volej në shtyllën e dytë. Një penallti e dhënë për Barcelonën në minutat shtesë të pjesës së parë u anulua pas rishikimit me VAR, duke mbyllur fraksionin e parë me avantazhin minimal të vendasve.

Pas pushimit, Barcelona rriti presionin. Olmo goditi shtyllën, ndërsa portieri Álex Remiro u detyrua të ndërhyjë disa herë. Zëvendësimet e trajnerit katalanas dhanë efekt, teksa Marcus Rashford barazoi rezultatin me kokë rreth 20 minuta para fundit.

Megjithatë, gëzimi i Barcelonës zgjati pak. Vetëm një minutë më pas, Gonçalo Guedes riktheu epërsinë për Sociedad, pas një gabimi në mbrojtjen blaugrana. Barcelona pati raste të tjera, përfshirë një goditje shtylle nga Jules Koundé dhe një tjetër nga Rashford në kohën shtesë, por pa arritur barazimin.

Në fund, edhe pse Sociedad mbeti me një lojtar më pak pas kartonit të kuq për Carlos Soler, vendasit e ruajtën rezultatin.

Kjo fitore i jep Sociedadit një shtysë të rëndësishme në renditje, ndërsa Barcelona humbet mundësinë për të barazuar serinë e 10 fitoreve radhazi, të arritur për herë të fundit në mars 2016. /Rekordi.net

Share This