
“S’ka më hamendje a me dalë me ecë” – Përparim Rama: Cilësia e ajrit në Prishtinë po matet në kohë reale
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se qytetarët tashmë mund ta dinë gjendjen e ajrit në kryeqytet në kohë reale, falë vendosjes së sensorëve të mençur në hapësira publike dhe shkolla.
Përmes një videoje të publikuar, Rama tha se koha e pasigurisë rreth cilësisë së ajrit ka marrë fund:
“A me dalë sot me ecë? A thu a ka me qenë ajri i pastër? S’ka më nevojë për përgjigje me hamendje. Tash, ajri matet në kohë reale.”
Ai shtoi se Prishtina po prinë në rajon për digjitalizim, duke theksuar se monitorimi i ndotjes së ajrit është tashmë i aksesueshëm për qytetarët.
“Prishtina, përtej ajrit të ndotur”, tha Rama, duke theksuar se transparenca mbi gjendjen e mjedisit është një hap i rëndësishëm drejt një kryeqyteti më të shëndetshëm.


