
Shkarkimi i Veliajt, Gjykata Kushtetuese pritet të shpallë sot vendimin
Gjykata Kushtetuese pritet të dalë sot me një vendim lidhur me kërkesën e Erion Veliaj, për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave që vendosi shkarkimin e tij nga detyra.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, do të ketë një komunikim për mediat në orën 17:00, ku do të bëjë të ditur vendimmarrjen mbi këtë çështje me rëndësi të lartë kushtetuese.
Objekti i kërkesës së paraqitur nga Veliaj është “Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025, ‘Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj’, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.
Gjithashtu, në kërkesë përfshihet edhe shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025, që përcakton datën e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë Tiranë, si dhe pezullimi i efekteve juridike të këtij dekreti deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.
Vendimi i sotëm pritet të përcaktojë nëse shkarkimi i Erion Veliajt ishte në përputhje me Kushtetutën dhe nëse zgjedhjet e shpallura për Tiranën do të zhvillohen apo do të pezullohen deri në një afat tjetër.
Më 31 tetor në një seancë intensive që zgjati rreth shtatë orë, Erion Veliaj, ishte i pranishëm për të dhënë argumentet e tij lidhur me kërkesën për shqyrtimin e ligjshmërisë së shkarkimit të tij nga detyra si kryetar i Bashkisë Tiranë.
Gjatë seancës u shqyrtuan argumentet e paraqitura nga palët, përfshirë pretendimet e Veliajt për “standard të dyfishtë” në zbatimin e ligjit.
Përfaqësuesja e Kryeministrisë në argumentet e paraqitura në Gjykatën Kushtetuese theksoi se shkarkimi është kryer për shkaqe të lidhura me rrafshin ligjor dhe jo atë kushtetues, pasi Veliaj kishte munguar në detyrë për më shumë se tre muaj, në kundërshtim me dispozitat e ligjit për vetëqeverisjen vendore.
Sapo u mbyll seanca, Erion Veliaj u largua nga ambientet e Gjykatës Kushtetuese drejt qendrës së paraburgimit në Durrës.
Veliaj iu drejtua Kushtetueses më 29 shtator me kërkesën për shfuqizimin e vendimit të Qeverisë, ndërsa më 2 tetor kërkesa u plotësua me shtimin e objektit për shfuqizimin e dekretit të Presidentit Bajram Begaj, i cili më 1 tetor kishte caktuar datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore në 6 bashkitë e vendit. /rtsh/


