
Samiti-Nënshkruhet marrëveshja e Paqes për Gazën në Egjipt
Në një ceremoni historike që po mbahet në Sharm El-Sheikh të Egjiptit, liderët botërorë nënshkruajnë marrëveshjen e paqes për Gazën, duke shënuar një hap vendimtar drejt fundit të konfliktit të zgjatur dy vjeçar midis Izraelit dhe Hamasit.
Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump është nënshkruar në prani të presidentit të Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka refuzuar një ftesë të minutës së fundit për të marrë pjesë, duke e arsyetuar mungesën me festën e Simchat Torah që fillon sonte.
Presidenti Trump, i cili udhëhoqi negociatat intensive të javëve të fundit, e ka cilësuar marrëveshjen si “marrëveshjen më të madhe në histori”, duke theksuar se ajo do të sjellë paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.
“Kjo është një ditë e madhe për Izraelin, për palestinezët dhe për botën e tërë. Ne kemi arritur atë që të tjerët e konsideronin të pamundur: lirimin e pengjeve, tërheqjen e forcave dhe një rrugë drejt zhvillimit të Gazës pa armë”, deklaroi Trump gjatë ceremonisë, duke falënderuar aleatët arabë si Egjipti dhe Katari për rolin e tyre vendimtar në ndërmjetësim.
Marrëveshja është faza e parë e një plani 20-pikësh të propozuar nga Trump më 29 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në prani të Netanyahut.
Plani parashikon një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e të gjithë pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi (rreth 20 pengje të gjalla sipas vlerësimeve) në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë të mbajtur në Izrael.
Forcat izraelite do të tërhiqen gradualisht nga Gaza, duke lënë vendin për një Forcë të Përbashkët të Stabilizimit Ndërkombëtar (ISF), e mbështetur nga SHBA-ja, Egjipti dhe Jordania. Kjo forcë do të trajnojë policinë palestineze të re dhe do të sigurojë kufijtë për të parandaluar hyrjen e armëve, duke lejuar një rrjedhë të shpejtë të ndihmave humanitare dhe mallrave për rindërtimin e Gazës.
Hamasi, i cili e pranoi planin më 3 tetor, ka konfirmuar se marrëveshja përfshin “fundin e luftës në Gazë, tërheqjen e okupimit prej saj, hyrjen e ndihmave dhe shkëmbimin e të burgosurve”. /rtsh/


