
Reagimi i Çitakut pas fishkëllimave ndaj Xhakës: Kush e fishkëllen atë, i fishkëllen historisë sonë
Kosova dhe Zvicra janë duke u përballur sonte në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, ndërsa atmosfera në tribuna nuk ka kaluar pa polemika.
Disa tifozë dardanë janë dëgjuar duke fishkëlluar në drejtim të kapitenit të Zvicrës, Granit Xhaka, veprim që ka nxitur reagime të menjëhershme.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj këtij veprimi, duke e cilësuar si mosrespekt ndaj historisë së popullit shqiptar.
“Kam qenë Ambasadore e Kosovës në SHBA kur Zvicra fitoi kundër Serbisë në Kampionatin Botëror. Ato ditë, e gjithë vëmendja mediatike botërore ishte tek ajo ndeshje. Dhe pas golave, pas shqiponjave të Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, vëmendja u rrit edhe më shumë,” ka shkruar Çitaku në Facebook.
Ajo kujtoi se falë asaj ndeshjeje, mediat më prestigjioze botërore iu rikthyen historisë së Kosovës: “Folën për luftën tonë, për shtypjen dhe gjenocidin serb, për dhimbjet që kemi kaluar, për atë që na ka mbajtur në këmbë. Folën për diasporën tonë dhe rolin vendimtar që ajo ka pasur në mbijetesën dhe forcimin e Kosovës. Folën për babain e Granitit, që ishte i burgosur politik. Folën për Xherdanin dhe rrugëtimin e tij.”
Duke e quajtur Xhakën simbol të një kapitulli të rëndësishëm për Kosovën, Çitaku shtoi:
“Ne të gjithë duam që Kosova të fitojë sonte. Por një gjë duhet thënë qartë: kush i fishkëllen Granit Xhakës, i fishkëllen historisë sonë.”
Reagimi i saj ka ngjallur diskutime në rrjete sociale, në një natë ku sporti dhe ndjenjat kombëtare janë ndërthurur fuqishëm.


