
Zyrtare: Christian Eriksen firmos me Wolfsburgun
Christian Eriksen ka zgjedhur të vazhdojë karrierën në Bundesliga.
Mesfushori danez, i cili u lirua këtë verë nga Manchester United, ka nënshkruar kontratë me VfL Wolfsburgun, duke hedhur poshtë ofertën e bujshme të klubit anglez Wrexham, në pronësi të aktorëve të famshëm të Hollywood-it.
Wrexham kishte paraqitur një propozim konkret në korrik, por 33-vjeçari e refuzoi, duke u shprehur se dëshironte të vazhdonte të luante në nivelet më të larta të futbollit evropian.
Eriksen udhëtoi nga Odense për në Gjermani, ku kreu vizitat mjekësore dhe më pas firmosi kontratën me Wolfsburgun si lojtar i lirë.
Ky transferim gjithashtu e ribashkon mesfushorin me bashkëkombësin e tij, Peter Christiansen, i cili në vitin 2024 u emërua drejtor sportiv i klubit gjerman. Që nga ardhja e tij, Wolfsburgu ka afruar disa futbollistë danezë, si Andreas Skov Olsen, Jesper Lindstrom, Joakim Mæhle dhe Jonas Wind.
Me këtë lëvizje, Eriksen synon të rifitojë formën dhe të kontribuojë me përvojën e tij në një kampionat konkurrues si Bundesliga.


