
Raphina përplaset me Ancelottin
Sulmuesi i Barcelonës, Raphina, nuk ka pritur aspak mirë vendimin e trajnerit italian të Brazilit për ta aktivizuar në ndeshjen e fundit të Eliminatoreve të Kupës së Botës 2026 ndaj Bolivisë.
Sipas mediave spanjolle, 27-vjeçari ka menduar se prania e tij në këtë sfidë ishte e panevojshme, pasi për “Seleçaon” rezultati nuk kishte më rëndësi, ndërkohë që kushtet e lojës në stadiumin “El Alto” ishin jashtëzakonisht të vështira për shkak të lartësisë prej 4,000 metrash mbi nivelin e detit.
Raphina u aktivizua në pjesën e dytë, me shpresën e trajnerit italian që të shmangte një humbje turpëruese për Brazilin. Por ky vendim ka ngjallur polemika të mëdha, pasi lojtari i Barcelonës ka zhvilluar gjithsej 108 minuta në dy ndeshjet e fundit, përballë Kilit dhe Bolivisë, ndërkohë që yje si Vinicius Jr., Rodrygo dhe Eder Militao nuk u grumbulluan fare për këto sfida, duke u lënë të pushojnë.
Ky episod pritet të hapë diskutime të reja në Brazil, pasi vendimet e trajnerit italian kanë lënë të pakënaqur jo vetëm tifozët, por duket se edhe vetë futbollistët.


