
Rama godet keq Kurtin: Ka deficit të madh politik e personal, në vazhdimësi sulmon figurat e UÇK’së
Kryetari i Prishtina, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti përmes një statusi në Facebook, duke e akuzuar për mungesë rezultatesh konkrete dhe propagandë politike.
Rama deklaroi se Kurti “ka deficit të madh politik dhe personal”, duke shtuar se sipas tij ai nuk ka pasur rol në luftën çlirimtare dhe as në ndërtimin e institucioneve të shtetit.
“Albin Kurti ka deficit të madh politik dhe personal, sepse nuk ka asnjë kontribut as në luftën çlirimtare dhe as në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Prandaj, në vazhdimësi përpiqet ta mbulojë këtë mungesë me propagandë, duke sulmuar figurat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si ‘hajna’ e ‘kriminelë’ dhe, me ligësinë më të madhe, duke tentuar që familjet më të mëdha atdhetare t’i bëjë pjesë të diskursit të fushatës”, ka shkruar Rama.
Ai kritikoi edhe qeverisjen e Kurtit gjatë viteve të fundit, duke thënë se vendi është përballur me stagnim dhe mungesë zhvillimi.
“Për gjashtë vjet në pushtet, e ka zhytur vendin në varfëri dhe stagnim. Pa ASNJË projekt madhor, pa zhvillim kapital dhe pa ASNJË rezultat konkret. ASNJË. ZERO”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, në mungesë të rezultateve konkrete, kryeministri në detyrë po vazhdon të përdorë propagandën si mjet politik.
“Në mungesë të rezultateve, ai vazhdon të mbështetet në propagandë”, u shpreh Rama.
Në fund të reagimit të tij, kryetari i Prishtinës ironizoi me mënyrën se si, sipas tij, Kurti po e zhvillon fushatën politike.
“Të shohim me çfarë do të vendosë ta vazhdojë fushatën: me ndonjë kërcënime për jetë! Me ndonjë premtim për mërgatën! Apo me një tjetër episod patriotik propagandues! Kryeministër, qytetarët nuk kanë nevojë për filma propagandistikë të kohës së komunizmit. U ke borxh program, zhvillim dhe mirëqenie! Sa i ke varfëru na tregun raportet!”, përfundoi Rama.

