
Qytetarët në ditën e 49-të të protestës kundër investimit në Zvërnec
Aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë kanë protestuar sot për të 49-ën ditë radhazi kundër investimit në Zvërnec.
Protesuesit kanë përsëritur kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama si dhe të gjithë “kastës politike” që ka qeverisur vendin për më shumë se tre dekada.
Ashtu si edhe në ditët e tjera, pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë protesuesit vijuan marshimin përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’u vendosur para selisë së Kryeministrisë.
Me pankarta në duar, qytetarët ripërsëritën kërkesat për ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Një emigrant shqiptar nga diaspora shprehu mbështetjen për protestën qytetare, duke deklaruar se shqiptarët jashtë vendit do të jenë pjesë e ndryshimit që kërkohet
“Diaspora ju mbështet. Ne do të jemi pjesë e protestës, pjesë e ndryshimit të madh. Ky popull ka vuajtur dhe ka nevojë për një shtet të ri që t’i shërbejë sovranit dhe jo këtyre oligarkëve. Jam pjesë e lëvizjes studentore të ’90. Ne nuk arritëm atë që kishim si ide, donim një Shqipëri europiane, por na u futën në mes agjentura e shtetit”, tha ai.
Një tjetër protestues u shpreh se kjo protestë ka kthyer shpresën.
“Ky shesh, këta njerëz të mrekullueshëm dhe kushdo tjetër që ka ardhur nga çdo cep na kanë kthyer shpresën se ne Shqipërinë do ta marrin sërish mbrapsht, nga ata që na kanë uzurpuar. Ju nuk jeni dorëzuar dhe ne nuk do të dorëzohemi deri sa të ia arrijmë qëllimit”, u shpreh ai.
Një aktiviste e protestës qytetare rikujtoi pikat kryesore të parashtruara nga protestuesit ndaj qeverisë.
Ajo u shpreh se kërkesat përfshijnë “dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë”, si dhe krijimin e një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor, me synim ndryshime kushtetuese që, sipas saj, do të garantonin barazinë e qytetarëve para ligjit.
Po ashtu ajo kërkoi ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe ligjit për financimin e partive politike, si dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate. ” Kërkojmë anulimin e ligjeve që lidhen me zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore, ‘Paketën e Maleve’ dhe investimet strategjike”, shtoi ajo.
Një jurist shqiptar që jeton prej 30 vitesh në Itali foli për largimin e shqiptarëve nga vendi, një fenomen, sipas tij, në rritje vitet e fundit.
“Prej 30 vitesh jetoj në Itali. Jam avokat dhe e kam vënë re fenomenin. Në dyert e studiove tona trokasin shumë shqiptarë që duan të pajisen me dokumenta. Nuk na çudit fakti që shumë të rinj kërkojnë një shpresë, punë se nuk gjejnë hapësirë këtu. Por kemi pasur kërkesa nga ata shqiptarë që kanë të ardhura, kanë biznese dhe i kemi pyetur; pse vini në emigrim? Të gjithë kanë thënë: ‘për të ardhmen e fëmijëve tanë’. Kjo do të thotë se këta këtu u kanë hequr shpresën”, tha ai.
Një tjetër protestues kërkoi dorëheqjen e kreut të PD-së, Sali Berisha.
“Berisha të japë dorëheqjen. Je i shitur te Rama. Se Ramën e kemi parë ne”, deklaroi ai gjatë protestës.
Fjalën në protestë e mori edhe gazetari Osman Stafa, i cili u ndal veçanërisht te gjendja e sistemit shëndetësor.
Sipas tij, qeveria nuk po investon mjaftueshëm në spitalet publike, ndërsa fondet shkojnë për projekte të tjera. Ai ngriti shqetësime edhe për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale, duke kritikuar mungesat e medikamenteve dhe pajisjeve në spitalet publike.
Stafa solli shembuj konkretë të qytetarëve që sipas tij, nuk kanë marrë trajtimin e duhur shëndetësor.
“Para pak ditësh kam publikuar një listë ku QSUT kërkonte donacione, kurse paratë tuaja shkojnë për koncerte, për kopshtin Eden, për projekte që nuk i shohim. Nuk ka shkuar asnjë pajisje në QSUT, nuk ka asgjë të tillë për pacientët. Një skaner nuk punon prej vitesh. Pacientët sorollaten. Shkojnë në urgjencë në QSUT dhe përfundojnë te privati. Onkologjiku është spitali më kriminal i mundshëm. Mungojnë medikamentet. Ilaçet e tjera janë dy muaj, dy muaj jo. A shërohet kanceri kështu?”, tha Stafa.
Ndërsa Luçiana Kokaj, banore e fshatit Rrjoll në Velipojë, bëri thirrje që SPAK të hetojë për resortin që do të ndërtohet në këtë zonë bregdetare. Sipas saj aktet e pronësisë janë falsifikuar.
“Rrjolli nuk duhet të ndërtohet, nuk duhet të bëhen resorte aty. Në kurrizin e kujt? Të qytetarëve. Ndërkohë që ne largohemi çdo ditë nga Shqipëria, këta ndërtojnë resorte çdo ditë dhe modifikojnë historitë. I bëj thirrje SPAK, të hapë dosjen e Rrjollit se do të gjejë shumë gjëra në të, gjyqtarë të korruptuar. Ata e tjetërsuan pronën duke vendosur mbiemrin e tyre. Ne jemi 100 familje që nuk qenkemi në pronarë, ndërsa një ish-drejtor Hipoteke ka 100 mijë ha tokë”, tha ajo.
Pas fjalimeve përpara Kryeministrisë, protestuesit vijuan me marshimin në rrugët e Tiranës. Organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e tubimit deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

