Haradinaj kujton Enver Zymerin dhe policët e rënë: Sakrifica e tyre është themeli i Republikës së Kosovës

Haradinaj kujton Enver Zymerin dhe policët e rënë: Sakrifica e tyre është themeli i Republikës së Kosovës

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar policët e rënë në krye të detyrës, duke nderuar veçanërisht heroin Enver Zymeri.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka shprehur mirënjohje për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që kanë sakrifikuar jetën në mbrojtje të vendit, duke vlerësuar kontributin e tyre në ndërtimin dhe mbrojtjen e shtetit.

“Sot përkujtojmë rënien heroike të Enver Zymerit, pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i Policisë së Kosovës. Jeta dhe përkushtimi i Enverit, i Afrimit dhe i të gjithë atyre që ranë për lirinë e atdheut janë dëshmi se mbrojtja e Republikës së Kosovës ndërtohet mbi sakrificën, guximin dhe besimin e palëkundur në shtetin tonë”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka theksuar se uniforma e policit që mbajti Enver Zymeri dhe shembulli i tij, së bashku me sakrificën e të gjithë heronjve të Kosovës, mbeten bazë e shtetit.

“Uniforma e policit që veshi Enveri, sakrifica dhe shembulli i tij, si edhe i të gjithë heronjve tanë, në luftë e në paqe, mbeten themeli mbi të cilin qëndron shteti ynë”, ka deklaruar Haradinaj.

Share This