Osmani: Policia e Kosovës është mburojë e sigurisë dhe sovranitetit të shtetit

Osmani: Policia e Kosovës është mburojë e sigurisë dhe sovranitetit të shtetit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar policët e rënë në kryerje të detyrës, duke shprehur mirënjohje për sakrificën e tyre dhe duke falënderuar të gjithë zyrtarët policorë që shërbejnë çdo ditë në mbrojtje të vendit.

Me rastin e Ditës Memoriale kushtuar policëve të rënë në detyrë, Osmani ka vlerësuar rolin e Policisë së Kosovës në ruajtjen e rendit kushtetues dhe sovranitetit të shtetit.

“Në paqe e në sfida, në veri e në jug, në çdo pëllëmbë të Kosovës, Policia jonë është mburoja e sigurisë, e rendit kushtetues dhe e sovranitetit të shtetit. Sot, në Ditën Memoriale kushtuar policëve të rënë në detyrë, përulemi me nderimin më të thellë para sakrificës së tyre”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo ka veçuar policët e rënë Afrim Bunjaku dhe Enver Zymeri, duke theksuar se sakrifica e tyre mbetet frymëzim për të gjithë.

“Afrim Bunjaku, Enver Zymeri dhe të gjithë heronjtë e Policisë dëshmuan se Kosova nuk përkulet para askujt. Ata zgjodhën detyrën, nderin dhe atdheun mbi gjithçka, prandaj lavdia për ta do të jetë e përjetshme”, ka deklaruar Osmani.

Share This