
Qëllohet për vdekje aleati i Trump, Charlie Kirk, autori në arrati. Presidenti amerikan: Moment i errët
Aktivisti konservator dhe aleati i ngushtë i Presidentit Donald Trump, Charlie Kirk, u qëllua për vdekje të mërkurën (10 shtator) në një aktivitet të kolegjit të Utah-ut.
Dy persona u arrestuan dhe u liruan më vonë, pasi rezultoi se nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen tragjike.
Autoritetet janë duke vijuar hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Ky i fundit dyshohet se ka qëlluar me armë nga çatia e një ndërtese në oborrin ku Kirk po mbante fjalën e tij.
Rreth 3,000 persona ishin të pranishëm në event, ndërsa ishin gjashtë oficerë sigurie, si dhe oficeri privat i sigurisë së Kirk ishin gjithashtu të pranishëm.
Mbi ngjarjen e rëndë ka reaguar dhe presidenti Donald Trump i cili në një fjalim të mbajtur nga Zyra Ovale fajësoi “të majtën radikale” dhe premtoi një goditje të menjëhershme.
“Për vite me radhë, ata që janë në të majtën radikale i kanë krahasuar amerikanët e mrekullueshëm si Çarli me nazistët dhe vrasësit dhe kriminelët më të këqij masivë në botë. Ky lloj retorike është drejtpërdrejt përgjegjës për terrorizmin që po shohim në vendin tonë sot dhe duhet të ndalet menjëherë. Administrata ime do të gjejë secilin prej atyre që kontribuan në këtë mizori dhe në dhunën tjetër politike, duke përfshirë organizatat që e financojnë dhe e mbështesin atë, si dhe ata që ndjekin gjyqtarët tanë, zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe këdo tjetër që sjell rend në vendin tonë.“, deklaroi Trump.
Ky i fundit renditi një sërë incidentesh të cilat sipas tij kanë në themel dhunën politike të së majtës radikale, ndërsa nuk la pa përmendur tentativën për vrasjen e tij një vit më parë, vrasjen e drejtorit ekzekutiv të United Healthcare, Brian Thompson, të shtënat me armë zjarri ndaj kongresmenit republikan Steve Scalise në vitin 2017 dhe atë që ai e quajti “sulmet ndaj agjentëve të Ice”.
Në një postim në rrjetin social X, zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance i ka bërë homazh Charlie Kirk si një “mik të vërtetë” dhe një “familjar të shkëlqyer”.
“Pak kohë më parë, ndoshta në vitin 2017, u shfaqa në emisionin Fox të Tucker Carlson për të folur për Zoti e di se çfarë. Më pas, një emër që mezi e njihja më dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë në Twitter dhe më tha se kisha bërë një punë të shkëlqyer. Ishte Charlie Kirk, dhe ai moment mirësie filloi një miqësi që zgjati deri më sot”, shkroi ai në një postim në X. /rtsh/


