
Protestë paqësore për Agon Zejnullahun, familja kërkon drejtësi
Me thirrje për drejtësi për Agonin, para Stacionit të Policisë në Lipjan u mbajt një protestë paqësore në shenjë revolte dhe dhimbjeje për vdekjen tragjike të Agon Zejnullahut, 27-vjeçarit që humbi jetën në rrethana të dyshimta, pas një ndërhyrjeje policore disa ditë më parë.
Familjarë, qytetarë dhe aktivistë të shumtë u bashkuan për të kërkuar zbardhjen e plotë të rastit dhe drejtësi për Agonin.
Vëllai i viktimës, Alban Zejnullahu, deklaroi se familja nuk kërkon hakmarrje, por drejtësi dhe transparencë.
“Jemi këtu me zemrën plotë dhimbje, por me qëllim të pastër. Sot nuk jemi mbledhur për urrejtje, por për të kërkuar drejtësi për Agonin, për një zë që nuk mund të heshtet. Jemi këtu sepse drejtësia nuk është privilegj, por e drejtë”, tha ai.
Ai theksoi se familja kërkon veprim ligjor dhe jo heshtje institucionale.
“Jemi këtu sepse dhimbja e familjes për Agonin është dhimbja jonë kolektive. Heshtja vret për herë të dytë. Agoni është simbol i një padrejtësie që nuk guxon të harrohet. Kërkojmë hetim të plotë dhe transparent”, shtoi ai.
Protesta përfundoi pa incidente.
Sipas deklaratës së Policisë së Kosovës, Zejnullahu ishte nën ndikimin e alkoolit dhe kishte sulmuar kalimtarë e automjete, gjë që çoi në ndërhyrjen e forcave të rendit. Mirëpo, pamjet e publikuara në media treguan momente të ndjeshme gjatë ndërhyrjes policore.
Pas këtij rasti, Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi për arrestimin e pesë zyrtarëve policorë, të cilët po hetohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan caktoi masën e paraburgimit për 30 ditë ndaj të pesë të dyshuarve të përfshirë në rastin e vdekjen e të riut më 7 korrik në Lipjan.
Ndërkohë, analizat toksikologjike lidhur me rastin janë dërguar jashtë vendit për ekzaminim të detajuar. /rtk/


