
Prishtina dhe Gjilani ndajnë pikët në ‘Fadil Vokrri’
Prishtina dhe Gjilani kanë luajtur baras 1-1, të shtunën në ‘Fadil Vokrri, në kuadër të javës së 30-të në elitën e futbollit kosovar.
Pjesa e parë u zhvillua kryesisht në mesfushë, me shumë duele fizike dhe pak raste konkrete për gol, duke bërë që ekipet të shkojnë në pushim pa ndryshuar rezultatin.
Fraksioni i dytë solli më shumë dramë dhe intensitet. Në minutën e 58-të, Gjilani arriti të shënojë, por goli u anulua pas rishikimit me VAR. Vetëm dy minuta më pas, mysafirët fituan penallti, ndërsa mbrojtësi i Prishtinës, Christopher Mamengi, u ndëshkua me karton të kuq.
Nga pika e bardhë u tregua i saktë Senad Jarović, i cili në minutën e 61-të kaloi Gjilanin në epërsi 1-0.
Megjithatë, reagimi i Prishtinës ishte i menjëhershëm. Në aksionin pasues, Arjol Bllaca barazoi shifrat në 1-1, duke rikthyer ekuilibrin në takim.
Deri në fund të ndeshjes, e cila u drejtua nga gjyqtari Genc Nuza, nuk pati raste të theksuara për gol, dhe të dyja skuadrat u desh të kënaqen me nga një pikë.
Pas këtij barazimi, Prishtina mbetet në vendin e tretë me 45 pikë, ndërsa Gjilani renditet menjëherë pas saj në pozitën e katërt me 44 pikë.


