
Polonia në gatishmëri të plotë, avionët luftarakë ngrihen pas sulmeve ruse në Ukrainë
Në orët e para të mëngjesit, autoritetet polake urdhëruan ngritjen e menjëhershme të avionëve luftarakë të Polonisë dhe aleatëve të saj, si dhe të avionëve paralajmërues AWACS, pas një vale sulmesh ruse me raketa dhe dronë në sektorë të Ukrainës perëndimore, shumë pranë kufirit polak.
Komanda e operacioneve të shtabit të përgjithshëm të një shteti anëtar të NATO-s njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore tokësore dhe mjetet e mbikëqyrjes së hapësirës ajrore u vunë në gatishmëri maksimale, duke rritur nivelin e sigurisë në rajon.
Në orën 06:00, pothuajse e gjithë Ukraina ishte në alarm pas paralajmërimeve për sulme të reja ajrore.
Guvernatori rajonal Oleh Sinekhubov raportoi se të paktën 32 persona u plagosën gjatë një sulmi masiv me dronë rusë në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës.
Një ndërtesë nëntëkatëshe u godit dhe u përfshi nga flakët, ndërsa autoritetet lokale paralajmëruan për dëme të mëdha.
Ky ishte sulmi i tretë radhazi ndaj Kharkivit, ku gjatë dy netëve të fundit janë vrarë të paktën katër persona, përfshirë një vajzë 17-vjeçare.
Kryetari i bashkisë Ihor Terekhov konfirmoi se shpërthime të shumta u dëgjuan në qytet pak para mesnatës.
Që nga fillimi i pushtimit, Rusia ka shënjestruar qytetet ukrainase pothuajse çdo ditë me raketa dhe dronë.
Me afrimin e dimrit, bombardimet ndaj infrastrukturës energjetike janë intensifikuar, ndërsa Kievi ka kundërsulmuar duke goditur rafineri dhe depo karburanti në territorin rus.
Në rajonin e Kharkivit, ushtria ruse pretendon se ka pushtuar një fshat tjetër, duke thelluar ofensivën e shpallur në shtator. Moska vazhdon të kërkojë dorëzimin e territoreve si kusht për armëpushim, një kërkesë që Kievi e refuzon kategorikisht. /rtsh/


