
Xhaka i lumtur me kualifikimin e Zvicrës në Botëror: Mezi po pres
Zvicra siguron kualifikimin në Botëror 2026, Granit Xhaka reagon pas ndeshjes në Prishtinë
Kombëtarja e Zvicrës ka siguruar mbrëmë kualifikimin direkt në Kampionatin Botëror 2026, pas barazimit të mbrëmshëm 1:1 ndaj Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ky rezultat i mjaftoi “helvetikëve” për të ruajtur vendin e parë në grup dhe për të vulosur pjesëmarrjen në Botëror.
Granit Xhaka ishte një nga figurat kryesore të Zvicrës në këto kualifikime, duke e udhëhequr ekipin me paraqitje të qëndrueshme dhe rol të padiskutueshëm në mesin e fushës.
Megjithatë, kapiteni i Zvicrës u përball mbrëmë me vërshëllima nga disa tifozë në “Fadil Vokrri” — një reagim që ai vet e ka pranuar se nuk e kishte pritur.
Pas ndeshjes, Xhaka ka reaguar në rrjetet sociale, duke shprehur entuziazmin për kualifikimin.
“Kupa e Botës 2026. Ne do të jemi aty. Mezi po pres”, ka shkruar ai.
Zvicra tashmë e ka siguruar pjesëmarrjen e saj të radhës në një turne madhor, ndërsa Kosova do ta vazhdojë rrugëtimin e saj në play-off.


