PD protestë-marshim, hidhen molotovë. Policia shpërndan turmën me gaz lotsjellës dhe ujë

PD protestë-marshim, hidhen molotovë. Policia shpërndan turmën me gaz lotsjellës dhe ujë

Partia Demokratike dhe aleatët e saj organizuan sot protestën e radhës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Kjo ishte protesta e tetë kombëtare që PD organizon, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha së bashku me disa deputetë të PD-së dhe një grup protestuesish, u nisën nga selia blu, nga ku më pas, marshuan drejt bulevardit para Kryeministrisë, për t’iu bashkuar protestës.

Protesta u zhvillua pa fjalime nga përfaqësues të opozitës, ndërsa moderatori i tubimit u fokusua tek disa nga problematikat sociale në vend. Gjithashtu gjatë protestës u mbajt 1 minutë heshtje në përkujtim të dy fëmijëve që humbën jetën si pasojë e një aksidenti tragjik në Durrës.

Protesta vijoi më pas në formë marshimi. Protestuesit, të udhëhequr nga kreu i PD-së, Sali Berisha, u nisën në drejtim të godinës së Ministrisë së Brendshme, duke marshuar në mënyrë të organizuar.

Për të frenuar protestuesit, policia krijoi një bllokadë para ambienteve të Ministrisë së Brendshme. Efektivë të policisë më pas përdorën ujë për të shpërndarë turmën dhe hodhën gaz lotsjellës në drejtim të tyre, duke penguar marshimin. Nga ana tjetër protestuesit hodhën kokteje me molotovë, të cilët u shuan nga forcat e policisë. Protestuesit hodhën në drejtim të policisë fishekzjarre, ndërsa policia iu përgjigj duke hedhur ujë.

Për garantimin e rendit dhe sigurisë, Policia e Tiranës kishte marrë një plan masash, që përfshinte kufizime të përkohshme në qarkullimin rrugor në disa nga akset kryesore të kryeqytetit, ndërsa në terren ishin të angazhuar rreth 1500 efektivë për garantimin e sigurisë.

Nga ora 15:00, deri në përfundim të tubimit, u bllokua lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”, raporton atsh.

Share This