Parashikimi i motit për vikend në Kosovë e Shqipëri

Parashikimi i motit për vikend në Kosovë e Shqipëri

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë vikendit vendi do të ketë mot kryesisht me diell, por me vranësira të shpërndara dhe mundësi për reshje të lehta lokale.

Të shtunën pritet mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0 dhe 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 9 deri në 12 gradë. Pasdite, në disa zona mund të ketë riga shiu. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1 deri në 6 metra për sekondë.

Të dielën moti do të jetë me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale do të jenë nga 0 deri në 2 gradë, ndërsa maksimalet do të shënojnë rritje të ndjeshme, duke arritur nga 15 deri në 18 gradë Celsius. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit.

Ndërkohë, sipas parashikimeve për Shqipërinë, të shtunën priten kushte atmosferike të qëndrueshme, me mot kryesisht të kthjellët dhe vranësira të pakta, më të theksuara në zonat malore gjatë mesditës dhe pasdites.

Era do të fryjë nga juglindja në jugperëndim, ndërsa në zonat bregdetare pritet të jetë më e fuqishme, deri në 10 metra për sekondë. Deti Adriatik dhe Jon do të kenë valëzim të ulët, të forcës 1 deri në 2 ballë.

Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm në orët e mëngjesit për shkak të temperaturave të ulëta, veçanërisht në zonat malore.

Share This