
Artemis II kthehet në Tokë pas misionit rreth hënës
Astronautët e misionit Artemis II janë kthyer shëndosh e mirë në Tokë, pasi përfunduan me sukses udhëtimin historik rreth Hënës. Kapsula Orion është ulur në Oqeanin Paqësor, në brigjet e Kalifornisë, në jugperëndim të San Diegos, duke shënuar mbylljen e një prej misioneve më të rëndësishme të NASA-s në dekadat e fundit.
Ekuipazhi i përbërë nga Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe Jeremy Hansen përfundoi orbitimin e Hënës dhe më pas nisi rikthimin drejt Tokës. Ulja u krye pa probleme, ndërsa parashutat e kapsulës u hapën sipas planit, duke e ngadalësuar Orionin para se të prekte ujërat e Paqësorit.
Menjëherë pas uljes, komandanti Wiseman njoftoi se gjithçka ishte në rregull dhe se katër astronautët ishin në gjendje të mirë shëndetësore. “Jemi në gjendje të qëndrueshme, katër anëtarë të ekuipazhit në gjendje të mirë,” deklaroi ai, duke e përshkruar momentin si një udhëtim të jashtëzakonshëm.
Ky mision u zhvillua 56 vjet pas fluturimit të famshëm Apollo 8 dhe konsiderohet një hap vendimtar drejt rikthimit të njerëzimit në Hënë. Përmes Artemis II, NASA testoi sistemet kryesore të fluturimit në hapësirë të thellë dhe sigurinë e kapsulës Orion, e cila do të përdoret edhe në misionet e ardhshme.
NASA e cilësoi rikthimin si një “ulje model”, megjithëse u raportua edhe një problem i përkohshëm komunikimi me ekuipazhin pas prekjes së ujit. Megjithatë, komentatorët gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë konfirmuan se astronautët dukeshin “në formë të shkëlqyer”.
Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, e përshkroi Artemis II si një sukses të plotë, duke vlerësuar punën e ekipit dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë. “Artemis II ka qenë një mision i përkryer. Jam pa fjalë, ishte një moment i jashtëzakonshëm,” u shpreh ai, raporton rtk.
Sipas tij, të dhënat e mbledhura gjatë këtij udhëtimi janë shumë të rëndësishme për përgatitjen e misionit Artemis III, i cili synon të realizojë uljen e ardhshme të astronautëve në sipërfaqen e Hënës. Punimet për këtë mision pritet të nisin më 20 prill në Kennedy Space Center.
Ndërkohë, rikthimi i astronautëve është përshëndetur edhe nga Presidenti amerikan Donald Trump, i cili në një mesazh publik në rrjetet sociale përgëzoi ekuipazhin dhe i ftoi ata në Shtëpinë e Bardhë. “Ulja ishte perfekte dhe nuk mund të isha më krenar. Do ta bëjmë sërish dhe më pas, hapi tjetër: Marsi!”, shkroi ai.


