
OVL e UÇK-së reagon ashpër ndaj Speciales: Pranimi i dokumenteve nga Serbia është arsye shtesë për protestë
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka reaguar me indinjatë të thellë ndaj pranimit të dokumenteve si prova nga Gjykata Speciale, që pretendohet se janë dorëzuar nga institucionet e sigurisë së Serbisë, përfshirë Shërbimin e Sigurimit Shtetëror, Ministrinë e Brendshme dhe strukturat ushtarake të krijuara gjatë luftës në Kosovë.
Në një deklaratë zyrtare, OVL UÇK e ka cilësuar këtë veprim si “të papranueshëm” dhe si një tjetër provokim të rëndë ndaj kategorive të dala nga lufta.
“Gjykata Speciale pranoi si prova dokumente të dorëzuara nga institucionet më famëkeqe të aparatit shtetëror serb. Ky veprim i papranueshëm i gjykatës i jep besueshmëri një aparati që kreu krime të dokumentuara në Kosovë,” – thuhet në reagimin e organizatës.
Për këtë arsye, OVL UÇK ka paralajmëruar një protestë më 7 gusht, duke thënë se “kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së nuk do të heshtin kur historia provon të rishkruhet nga dokumentet e dhunuesit.”
Protesta do të mbahet në ora 17:00, ndërsa organizata u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen në kundërshtim të kësaj “padrejtësie të radhës”.


