
Mijëra të evakuar pas zjarreve në shtetin e Uashingtonit
Mijëra njerëz u urdhëruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në Spokane, shteti i Uashingtonit, në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara, për shkak të një zjarri që i afrohej qytetit të shtunën, që detyroi guvernatorin lokal të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme.
”Më shumë se 80 900 hektarë ishin djegur në 12 zjarre të mëdha në të gjithë shtetin e Uashingtonit në një vit rekord të katërt radhazi të thatësirës mbarëkombëtare”, tha zyra e guvernatorit Bob Ferguson.
“Thatësira historike dhe erërat e forta po krijojnë kushte të rrezikshme në të gjithë shtetin”, tha guvernatori, duke shtuar se gjendja e jashtëzakonshme ndalon shumicën e zjarreve në natyrë dhe bujqësore deri më 30 shtator.
“Ky vit është tashmë një nga vitet më të ngarkuara me zjarret në histori, dhe ne sapo po hyjmë në gusht”, tha Komisioneri i Tokave Publike, Dave Upthegrove.
”Zjarri me përhapje të shpejtë kapërceu lumin Spokane të shtunën pasdite dhe hyri në qytet”, raportoi të shtunën gazeta ”Spokesman-Review”.
Niveli më i lartë i alarmit të evakuimit u lëshua për zona të mëdha të Spokanit verior, duke prekur mijëra njerëz në periferi të qytetit, sipas hartës së evakuimit të qeverisë.
Është ngritur një qendër strehimi për të evakuarit.
Shteti i Uashingtonit, në bregun e Paqësorit, kufizohet me Kanadanë, një vend i cili u përball në korrik me një sezon të ri të zjarreve pyjore, të përshkruar si “një nga më intensivët në histori” nga kryeministri Mark Carney, me tre milionë hektarë të djegur, ekuivalente me sipërfaqen e Belgjikës. /atsh/

