
Tragjedi në Peru, rrëzohet një avion turistik, humbin jetën 13 persona
Një avion i vogël turistik u rrëzua gjatë një fluturimi mbi Vijat Nazca, në jug të Perusë, duke shkaktuar vdekjen e të 13 personave që ndodheshin në bord.
Sipas TVPeru, në avion udhëtonin 11 pasagjerë dhe dy pilotë.
“Njëmbëdhjetë pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit humbën jetën”, deklaroi komandanti i policisë, Jorge Andrade, për gazetarët në vendngjarje.
Sipas autoriteteve vendase, avioni ishte nisur nga qyteti i afërt i Ikës dhe operohej nga kompania peruane Aerodiana, e cila prej 14 vitesh organizon fluturime panoramike mbi Vijat e Nazca-s me avionë të tipit Cessna Grand Caravan.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.
Vijat Nazca janë një nga destinacionet më të njohura turistike dhe arkeologjike të Perusë. Ato përbëhen nga qindra gjeoglife gjigante të krijuara nga qytetërimi Nazca dhe janë të shpallura pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Fluturimet turistike mbi këtë zonë janë një nga atraksionet më të frekuentuara nga vizitorët vendas dhe të huaj.
/rtsh.al/

