
Osmani: Përgëzoj deputetët për miratimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar miratimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare nga Kuvendi i Kosovës, duke theksuar se ato i hapin rrugë rreth 1.1 miliardë euro investimeve dhe granteve për vendin.
Përmes një reagimi në Facebook, Osmani u shpreh se këto marrëveshje përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik dhe forcimit të sektorëve kyç në Kosovë.
Sipas saj, fondet e siguruara do të përkthehen në më shumë mundësi për të rinjtë, mbështetje për familjet dhe biznese më të fuqishme, si dhe përmirësim të shërbimeve në shëndetësi, arsim dhe në fushën e sundimit të ligjit.
Ajo theksoi se investimet e parapara do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe do të kontribuojnë në rritjen e mirëqenies dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.
“Kur institucionet bashkërendojnë veprimet, rezultatet nuk mungojnë. Këto marrëveshje janë dëshmi se Kosova ecën përpara kur ka unitet dhe përgjegjësi”, ka deklaruar Osmani.


