
Netanyahu: Programi bërthamor i Iranit duhet të marrë fund, nëse sulmon Izraelin, përgjigjja do të jetë shumë e fortë
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se konflikti me Iranin do të përfundojë vetëm nëse regjimi në Teheran rrëzohet ose nëse ai heq dorë nga programi i tij bërthamor.
Në një intervistë për Fox News, Netanyahu theksoi se programi bërthamor i Iranit duhet të ndalet, pavarësisht nëse arrihet apo jo një marrëveshje.
“Me ose pa marrëveshje, programi bërthamor i Iranit duhet të marrë fund”, tha ai.
Kreu i qeverisë izraelite paralajmëroi gjithashtu Teheranin se çdo sulm ndaj Izraelit do të marrë një kundërpërgjigje të ashpër.
“Nëse Irani ose përfaqësuesit e tij sulmojnë Izraelin, ata do të bëjnë një gabim të tmerrshëm, sepse përgjigjja jonë do të jetë shumë, shumë e fortë”, u shpreh Netanyahu.
Duke folur për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, Netanyahu tha se pret të takohet me presidentin amerikan Donald Trump për të diskutuar mbi qasjen e Uashingtonit ndaj Iranit.
“Është mirë që kemi mundësinë të ulemi me mikun tonë të mirë, Presidentin Trump, dhe të dëgjojmë se çfarë ka në mendje, sepse besoj se në shumë mënyra është vendimi i tij”, deklaroi ai.
Netanyahu konfirmoi gjithashtu se ka ndërmend të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, ku tha se do të mbrojë pozicionin e Izraelit dhe aleancën izraelito-amerikane.
Në të njëjtën intervistë, ai kritikoi kryebashkiakun e Nju Jorkut, Zohran Mamdani, duke e akuzuar se po “nxit urrejtje” ndaj hebrenjve dhe se “mbështet vrasësit e Hamasit”.
Sa i përket Arabisë Saudite, Netanyahu tha se Trump kishte “absolutisht të drejtë” kur deklaroi se Riadi mund të përfitojë një marrëveshje bërthamore me karakter civil vetëm në këmbim të normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin.
“E theksoj fjalën ‘politike’, sepse gjëja e fundit që duam, dhe jam i sigurt se edhe presidenti nuk e dëshiron, është një program bërthamor ushtarak në Arabinë Saudite”, përfundoi Netanyahu. /rtsh/

