Pirlo tërhiqet nga gara për stolin e Italisë

Pirlo tërhiqet nga gara për stolin e Italisë

Andrea Pirlo ka vendosur të mos jetë më kandidat për postin e trajnerit të kombëtares së Italisë.

Ish-mesfushori legjendar italian e ka bërë të ditur vendimin përmes një postimi në rrjetet sociale, duke sqaruar se ka hequr dorë nga mundësia për të marrë drejtimin e “Azzurrëve”.

“Mbrëmë kam vendosur të mos jem më kandidat për stolin e kombëtares italiane”, ka shkruar Pirlo.

Vendimi i tij vjen pas polemikave të krijuara ditët e fundit rreth emrit të tij dhe lidhjeve profesionale me një kompani ruse, çështje që Pirlo e kishte sqaruar më herët duke theksuar se bashkëpunimi ishte vetëm i natyrës sportive dhe komerciale.

Pirlo ka insistuar se gjatë gjithë karrierës së tij, si futbollist dhe trajner, ka respektuar ligjet e vendeve ku ka punuar dhe marrëveshjet profesionale të nënshkruara.

“Bashkëpunimi profesional që është bërë objekt diskutimi lidhet me përvojën time të punës në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ka vetëm karakter sportiv e komercial. Nuk ka asnjë kuptim politik”, kishte deklaruar ai.

Në mesazhin e tij, Pirlo ka falënderuar edhe Paolo Maldinin dhe Leonardon për mbështetjen dhe vlerësimin që i kishin dhënë si kandidat për këtë pozitë.

“E vlerësoj kompetencën dhe seriozitetin që ata i kanë dhënë gjithmonë futbollit italian. Më vjen keq që një zgjedhje sportive u kthye shpejt në një debat politik, duke më atribuuar gjëra që nuk më përkasin”, është shprehur Pirlo.

Ish-trajneri i Juventusit ka theksuar se lidhja e tij me Italinë nuk varet nga një post apo detyrë.

“Dashuria për Italinë nuk varet nga një rol. Ajo është pjesë e historisë dhe identitetit tim dhe do të më shoqërojë gjithmonë”, ka përfunduar Pirlo.

Tashmë Federata Italiane e Futbollit do të vazhdojë kërkimin për trajnerin e ri të kombëtares, ndërsa Pirlo do të përqendrohet te angazhimi i tij aktual me United FC.

Share This