
Zelensky: Ukraina do të hapë 10 qendra eksporti armësh në Evropë
Ukraina do të hapë 10 qendra eksporti armësh në vende të ndryshme të Evropës, në një ndryshim të rëndësishëm të politikës së saj gjatë kohës së luftës. Lajmi u bë i ditur nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Sipas tij, Gjermania do të jetë ndër vendet e para, ku brenda pak ditësh pritet të nisë prodhimi i dronëve ukrainas.
“Në mesin e shkurtit do të shohim prodhimin e dronëve tanë në Gjermani. Kjo është një linjë prodhimi plotësisht funksionale,” deklaroi Zelensky.
Presidenti ukrainas bëri me dije se linja të ngjashme prodhimi tashmë janë në funksion në Mbretërinë e Bashkuar, duke theksuar se bëhet fjalë për teknologji plotësisht ukrainase.
Zelensky tha se aktualisht në Ukrainë operojnë 450 prodhues dronësh, prej të cilëve 40–50 konsiderohen të nivelit të lartë. Ai shtoi se interesi për investime është shumë i madh dhe se viti 2026 do të jetë vit investimesh në teknologjitë ushtarake ukrainase, veçanërisht në industrinë e dronëve.
“Dronët janë një industri e madhe dhe e re. Sipas financimeve që kanë hyrë në Ukrainë gjatë luftës, është industria më e madhe në vend,” u shpreh ai.
Në shtator të vitit 2025, Zelensky njoftoi se Ukraina do të lejonte eksportin e armëve të prodhuara në vend, duke hequr kufizimet e vendosura pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Deri atëherë, të gjitha pajisjet e prodhuara ishin përdorur ekskluzivisht për nevojat e luftës.
Industria e mbrojtjes së Ukrainës, veçanërisht sektori i dronëve, ka njohur një rritje të ndjeshme që nga fillimi i pushtimit rus. Aktualisht, në vend operojnë rreth 800 prodhues armësh, ndërsa Ukraina prodhon më shumë se 4 milionë dronë në vit, shifër që mund të dyfishohet me financim shtesë.
Autoritetet ukrainase kanë punuar për muaj me radhë mbi konceptin e “eksportit të kontrolluar”, sipas të cilit pajisjet ushtarake të tepërta do të eksportohen dhe të ardhurat do të përdoren për financimin e armëve të nevojshme urgjentisht për mbrojtjen e vendit. /rtsh/

