
Irani, Ukraina dhe Venezuela/ Zbardhen bisedimet mes Trump dhe Putin
Presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar një bisedë telefonike një ditë më parë (9 mars) me homologun amerikan Donald Trump, në fokus të së cilës ka qenë lufta e Iranit, bisedimet trepalëshe mbi Ukrainën dhe situate në Venezuelë. Lajmi është bërë me dije nga ndihmës i Kremlinit Yury Ushakov, i cili sqaroi se presidenti Putin dha një sërë idesh për zgjidhjen e konfliktit në Iran, duke përfshirë këtu kontaktet e tij të fundit me udhëheqësit e Gjirit, Presidentin iranian [Masoud] Pezeshkian dhe një numër udhëheqësish të tjerë.
“Natyrisht, theksi u vu në situatën rreth konfliktit me Iranin, Presidenti rus përshkroi një numër idesh që synojnë zgjidhjen e konfliktit sa më shpejt të jetë e mundur përmes mjeteve politike dhe diplomatike, duke përfshirë kontaktet e tij të fundit me udhëheqësit e Gjirit, Presidentin iranian [Masoud] Pezeshkian dhe një numër udhëheqësish të tjerë“, tha ai.
Ushakov shtoi se presidenti amerikan nga ana e tij “ndau vlerësimin për situatën në kontekstin e operacionit të vazhdueshëm SHBA-Izrael”.
Ushakov theksoi se dy liderët zhvilluan një shkëmbim të hollësishëm mendimesh të cilat sikurse beson ai, do jenë të dobishme për situatën.
Të dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu bisedimet trepalëshe mbi Ukrainën.
Sipas Ushakov, ata ndanë mendime rreth situatës aktuale përgjatë vijës së angazhimit në Ukrainë, ku forcat ruse kanë përparuar ndjeshëm.
“U vu re se ky është një faktor që duhet ta inkurajojë regjimin e Kievit që më në fund të ndjekë rrugën e zgjidhjes së konfliktit përmes negociatave. Udhëheqësi amerikan shprehu interesin e tij për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë duke “arritur një armëpushim dhe një zgjidhje afatgjatë sa më shpejt të jetë e mundur. Ne, nga ana jonë, dhamë një vlerësim pozitiv për përpjekjet e ndërmjetësimit që po ndërmerren personalisht nga Donald Trump dhe nga ekipi i tij”, theksoi ndihmësi presidencial rus.
Përveç kësaj, të dy presidentët diskutuan situatën rreth Venezuelës, kryesisht nga pikëpamja e zhvillimeve në tregun global të naftës. Ushakov e përshkroi telefonatën Putin-Trump si të hapur dhe konstruktive. /rtsh/


