
Zviceranët do të votojnë për centralet e reja bërthamore
Qytetarët zviceranë do të kenë fjalën përfundimtare lidhur me mundësinë e ndërtimit të centraleve të reja bërthamore në vend, pasi referendumi kundër ndryshimeve të propozuara ka mbledhur më shumë se 125 mijë nënshkrime
Nënshkrimet janë mbledhur brenda tre muajve nga koalicioni “Jo centraleve të reja bërthamore”, duke hapur rrugën që çështja të vendoset në votim popullor.
Parlamenti zviceran kishte miratuar gjatë sesionit veror kundërpropozimin indirekt të qeverisë ndaj iniciativës popullore “Stop Blackout – Elektricitet për të gjithë në çdo kohë”.
Ndryshimi synon heqjen e ndalimit aktual për ndërtimin e centraleve të reja bërthamore në Zvicër, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.
Komiteti që organizoi referendumin kundërshton rikthimin te ndërtimi i centraleve të reja bërthamore. Sipas tij, teknologjia bërthamore sjell kosto dhe rreziqe të larta, ndërsa e bën vendin të varur nga importet e uraniumit. Këto janë argumente të paraqitura nga koalicioni kundër propozimit.
Koalicioni gjithashtu argumenton se votuesit zviceranë kanë mbështetur në disa raste zhvillimin e energjive të ripërtëritshme, duke përmendur Strategjinë Energjetike 2050 të miratuar më 2017, Ligjin për Mbrojtjen e Klimës më 2023 dhe Ligjin për Energjinë Elektrike më 2024.
Në koalicionin kundër centraleve të reja bërthamore bëjnë pjesë të Gjelbrit, Socialdemokratët, Liberalët e Gjelbër, një pjesë e Partisë së Qendrës, si dhe rreth 30 organizata, përfshirë WWF, Greenpeace, Pro Natura dhe Swissolar.
Nga ana tjetër, propozimi i miratuar nga qeveria dhe parlamenti synon t’i japë Zvicrës përsëri mundësinë ligjore për ndërtimin e centraleve të reja bërthamore. Vendimi përfundimtar për këtë ndryshim pritet tashmë të merret nga votuesit zviceranë në referendum.

