‘Bild’ pasi Osmani zgjodhi Kosovën: Një tjetër goditje për Gjermaninë

‘Bild’ pasi Osmani zgjodhi Kosovën: Një tjetër goditje për Gjermaninë

Vendimi i talentit të Bayern Munichut, Erblin Osmani, për të përfaqësuar Kosovën ka marrë vëmendje edhe në mediat gjermane.

17-vjeçari është përfshirë në listën e përzgjedhësit Franco Foda për ndeshjet e ardhshme të Kosovës në Ligën e Kombeve, duke pranuar ftesën e “Dardanëve”.

Osmani, i cili më herët ishte pjesë e ekipeve të moshave të Gjermanisë dhe kishte mbajtur edhe shiritin e kapitenit, tashmë ka bërë zgjedhjen e tij për të ardhmen ndërkombëtare.

Gazeta e njohur gjermane “Bild” i ka kushtuar një artikull të veçantë vendimit të mesfushorit të talentuar, duke e cilësuar atë si një tjetër humbje për Gjermaninë.

“Një tjetër goditje për Kombëtaren e Gjermanisë. Ylli në ngritje Erblin Osmani ka refuzuar të luajë për Gjermaninë. Ai është ftuar nga Kosova për herë të parë”, shkruan “Bild”.

Megjithatë, gazeta gjermane thekson se ftesa e Kosovës nuk nënkupton domosdoshmërisht se Osmani e ka mbyllur përfundimisht mundësinë për të luajtur për Gjermaninë.

Sipas “Bild”, aktivizimet e tij në ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare do të jenë përcaktuese për të ardhmen e tij.

Osmani shihet si një prej talenteve premtues të Bayern Munichut dhe pritet të jetë në dispozicion të Kosovës për katër ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve, ndaj Irlandës, Austrisë në dy përballje dhe Izraelit.

Nëse do të debutojë dhe sa minuta do të luajë për Kosovën në këto takime, mbetet për t’u parë, por vëmendja tashmë është e madhe rreth hapit të radhës në karrierën ndërkombëtare të talentit 17-vjeçar.

Share This