
Ndërpritet seanca konstituive, Kurti kërkon kohë shtesë për diskutime
Punimet e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës u ndërprenë, pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kërkuar kohë shtesë për arritjen e marrëveshjes politike për emrin e një kandidati për president.
“Kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans bisedimeve politike për marrëveshje për president a presidente të re”, ka thënë ai.
Ai ka falënderuar liderin e PDK-së, Bedri Hamza dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku për takimet e mbajtura.
“Ato bisedime u pezulluan për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK. Rifillimi i bisedimeve u bë vetëm në këtë javë. Ne duam bisedime edhe me PDK-në edhe me AAK-në, ndonëse refuzimi i tyre është i qartë”, tha ai.
Ai ka uruar 120 deputetët për betimin e mandatit të ri.
Në rrethana normale, LVV do të duhej të propozonte kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe të vazhdohej me procesin e votimit.

