Haziri: Presim ndryshim qasjeje dhe zgjidhje politike për Kuvendin

Haziri: Presim ndryshim qasjeje dhe zgjidhje politike për Kuvendin

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, ndërsa ka shprehur shpresën se sot do të ketë ndryshim të qasjes dhe zgjidhje politike për normalizimin e situatës në Kuvend.

Haziri tha se grupi parlamentar i LDK-së do të mblidhet gjatë mëngjesit dhe se deputetët e kësaj partie janë të ftuar për të marrë pjesë në seancë.

“Ne e kemi grupin parlamentar këtë mëngjes. Natyrisht që jemi ftuar për të marrë pjesë në seancën konstitutive. Shpresoj shumë që këtë ndërrim qasje… dhe përkundër zhvillimeve të djeshme dhe thirrjeve tona që të respektohet Kushtetuta dhe të konstituohet Kuvendi, u pa që partia e parë e neglizhoi, e mbylli ditën e djeshme. Sot po presim që zgjidhjet politike në drejtim të normalizimit të Kuvendit të Republikës me u dhënë shans dhe mundësi zbatimit të zgjedhjeve edhe në rastin e qeverisë, edhe në rastin e presidentit, çfarëdo gjendje që ndërtojnë partitë politike sot”, deklaroi Haziri.

I pyetur për deklarimin e deputetes së zgjedhur të Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, se nuk janë procesuar nënshkrimet për thirrjen e seancës së mbrëmshme, Haziri tha se kjo çështje nuk lidhet me LDK-në.

“S’ka të bëjë me LDK-në, as me mua çështja e nënshkrimeve. S’po kuptoj për çka dhe çfarë nënshkrime po flitni këtë mëngjes”, tha Haziri.

Pas sqarimit se bëhej fjalë për iniciativën e ndërmarrë nga Vetëvendosje, Haziri tha se për këtë çështje duhet të pyeten ata që e kanë ndërmarrë iniciativën.

“Pyetni ata që kanë shkaktuar procese të tilla. Nuk ka të bëjë me LDK-në”, shtoi Haziri, raporton rtk.

Kuvendi i Kosovës ka thirrur vazhdimin e seancës konstituive për të shtunën, prej orës 11:00, ani se partitë ish-opozitare kërkuan që ajo të mbahej të premten pasdite, duke theksuar se në mesnatë përfundonte afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e institucionit ligjvënës.

Share This