Drita nis sonte sfidën drejt “play-off”-it, përballet me Tre Fiorin

Drita nis sonte sfidën drejt “play-off”-it, përballet me Tre Fiorin

Kampionia e Kosovës, Drita, rikthehet sonte në arenën evropiane, ku e pret një sfidë e rëndësishme në kuadër të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Skuadra gjilanase do të përballet me Tre Fiorin në stadiumin e Serravalles, me ndeshjen që nis në orën 21:00.

Përballja do të shënojë edhe debutimin e Visar Sermaxhajt si kryetrajner i ekipit gjilanas. Ish-futbollisti i njohur i futbollit kosovar mori drejtimin e skuadrës pas largimit të Zekirija Ramadanit, i cili u shkarkua menjëherë pas kualifikimit të Dritës në këtë fazë të garës.

Sermaxhaj falënderoi paraardhësin e tij për kontributin e dhënë gjatë dy viteve e gjysmë në krye të klubit, ndërsa theksoi se skuadra ka udhëtuar në San Marino me objektivin për të siguruar një rezultat pozitiv.

“Ne kemi punuar maksimalisht, kemi bërë analizën për kundërshtarin. Kemi parë anët e forta dhe mangësitë që ka skuadra kundërshtare. Ne duhet t’i shfrytëzojmë rastet që do t’i kemi gjatë ndeshjes dhe të jemi sa më konkretë për të dalë me rezultat pozitiv”, ka deklaruar Sermaxhaj.

Ai pranoi se drejtimi i Dritës në një ndeshje evropiane është një moment i veçantë në karrierën e tij.

“Është hera e parë për mua si kryetrajner, rastisi të jetë ndeshje e Evropës. Emocion i madh për mua dhe klubin, por shpresoj të dalim me rezultat pozitiv”, u shpreh ai.

Drita vjen në këtë duel pasi eliminoi skuadrën malteze Floriana në raundin e dytë kualifikues. Megjithëse kualifikimi u arrit vetëm pas vazhdimeve, drejtuesit e klubit vendosën të ndryshojnë stafin teknik, duke ia besuar drejtimin Sermaxhajt.

Mesfushori Vesel Limaj theksoi se ekipi është i përgatitur maksimalisht dhe i vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes.

“Jemi përgatitur mirë gjatë këtyre ditëve dhe jemi të fokusuar maksimalisht për ndeshjen që e luajmë nesër. Nuk na pret ndeshje e lehtë, por kemi besim se do të marrim rezultat pozitiv”, deklaroi Limaj.

Një paraqitje e mirë në San Marino do t’i jepte kampiones së Kosovës një avantazh të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet para tifozëve të saj.

Kualifikimi në fazën “play-off” do ta afronte Dritën vetëm një hap larg fazës së ligës në Ligën e Konferencës, një sukses që do të përbënte një tjetër arritje të rëndësishme për klubin dhe futbollin kosovar.

Me motivim të lartë dhe besim te cilësitë e skuadrës, Drita hyn në këtë përballje me synimin për të hedhur një tjetër hap drejt historisë evropiane.

Share This