
NATO dhe vendet e Gjirit diskutojnë tensionet në Ngushticën e Hormuzit
Franca dhe Britania e Madhe do të prezantojnë planet për krijimin e një misioni detar shumëkombësh në Ngushticën e Hormuzit, gjatë një takimi mes ministrave të Jashtëm të NATO-s dhe vendeve arabe të Gjirit, sipas “Reuters”.
Takimi zhvillohet në kuadër të samitit të NATO-s në Ankara dhe përfshin përfaqësues nga Bahrejni, Kuvajti, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Megjithatë, diplomatët thonë se kundërshtimi i Iranit, e bën të vështirë arritjen e një zgjidhjeje për këtë zonë strategjike.
Rriten tensionet në Hormuz
Tensionet në këtë rrugë detare, janë shtuar pavarësisht një marrëveshjeje të përkohshme paqeje mes SHBA-së dhe Iranit.
Agjencia britanike për sigurinë detare njoftoi se një anije cisternë me nafte, u godit pranë brigjeve të Omanit.
Sipas raportimeve, Garda Revolucionare iraniane ka qëlluar me raketa ndaj disa anijeve tregtare që kalonin në Ngushticën e Hormuzit.
Kjo ngushticë është një nga rrugët më të rëndësishme energjetike në botë, pasi rreth një e pesta e furnizimit global me naftë kalon aty.
Britania e Madhe dhe Franca kërkojnë mision për sigurinë detare
Londra dhe Parisi po përpiqen të krijojnë një koalicion prej rreth 12 vendesh, për të garantuar lëvizjen e sigurt të anijeve, pas uljes së tensioneve ose përfundimit të konfliktit.
Megjithatë, çdo marrëveshje afatgjatë do të kërkonte miratimin e Iranit, i cili kundërshton praninë ushtarake të vendeve të huaja në rajon.
Trump kritikon aleatët e NATO-s
Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi disa aleatë të NATO-s, përfshirë Britaninë e Madhe, Francën, Italinë dhe Gjermaninë, duke thënë se nuk e mbështetën SHBA-në, në konfliktin me Iranin.
Ai deklaroi se SHBA-ja nuk ka nevojë për ndihmë, por kritikoi aleatët se kishin refuzuar të angazhoheshin në konflik, përpara se t’u kërkohej.
Roli i Omanit
Britania e Madhe dhe Franca shpresojnë që misioni fillestar të zhvillohet në Gjirin e Omanit, një zonë që lidh Detin Arabik me Ngushticën e Hormuzit.
Omani ka deklaruar se do të bashkëpunojë për të garantuar sigurinë e lundrimit në ujërat e tij territoriale. /rtsh/

