
Musliu: Donika Gërvalla u refuzua për shkak të qëndrimeve të saj politike, jo si vajzë e Jusuf Gërvallës
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka sqaruar arsyet pse kandidatura e Donika Gërvallës për postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës është refuzuar një ditë më parë.
Duke reaguar ndaj komenteve të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Musliu ka theksuar se vendimi nuk kishte të bënte me trashëgiminë familjare të Gërvallës, por me qëndrimet e saj politike.
“Sot në Kuvend nuk u mohua Donika si vajzë e Jusuf Gërvallës. U mohua Donika që ka zgjedhur të ecë në një rrugë që fyen vlerat dhe sakrificën e Jusufit. Sot nuk u refuzua as mbesa e Nënës Ajshe. U refuzua Donika që, me qëndrimet e saj politike dhe veprimet publike, e mohoi të drejtën e Nënës Ajshe për të parë të birin e saj të varroset me nderimet që i takonin një heroi të kombit”, ka shkruar Musliu në “Facebook”.
Ajo më tej ka theksuar se vetë Donika Gërvalla ka pranuar publikisht bashkëpunimin me Gjykatën Speciale kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Kundër luftëtarëve të lirisë, të cilët sot padrejtësisht po mbahen në burgje”, ka shtuar Musliu.


